skip to Main Content

Zvogëlimi i gjoksit

Zvogëlimi i gjoksit, i njohur në gjuhën mjekësore si mamoplasti, është një ndërhyrje estetike që kryhet zakonisht te ato femra që kanë një gjoks të madh me qëllim për arritur zvogëlimin e tij dhe përmirësimin e formës dhe përmasave nëpërmjet zvogëlimit dhe ngritjes së gjoksit duke i dhënë trupit përmasa proporcionale. Femrat që duan të zvogëlojnë gjoksin duhet të kenë arritur moshën e pjekurisë (tetëmbëdhjetë vjeç).  Zvogëlimi kirurgjikal i gjoksit është shpesh një zgjidhje jetësore për gratë që kanë gjoks të madh e të varur e cila u shkakton atyre mungesë rehatie si dhimbje të qafës ose të shpinës, problemet në shpatulla që shkaktohen nga rripi i sutjenave dhe i shenjave që formohen poshtë gjoksit.

Zvogëlimi i gjoksit gjithashtu është mjaft i dobishëm për të korrigjuar edhe rastet kur kemi asimetri të dukshme ndërmjet gjinjve. Ndërhyrja kirurgjikale për zvogëlimin e gjoksit zgjat afërsisht tre orë dhe kryhet në anestezi të përgjithshme. Në varësi të kompleksitetit të ndërhyrjes, pacientët mund të qëndrojnë në spital 1 – 2 netë. Operacioni i zvogëlimit të gjoksit, nuk kufizon ushqyerjen me gji të foshnjes, nuk rrit rrezikun e tumorit të gjirit dhe lejon kryerjen e të gjitha ekzaminimeve mjekësore si mamografia dhe ekografia.

Paraprakisht

  • Ditën që kryeni konsultën me kirurgun duhet të informoni atë nëse jeni alergjik ndaj ndonjë medikamenti si dhe ti referoni mjekut nëse jeni duke marrë ndonjë medikament për arsye shëndetësore të cilat mund të influencojnë kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale;
  • Disa ditë përpara operacionit do të kryeni një sërë ekzaminimesh pre-operatore të cilat informojnë stafin mjekësor mbi gjendjen tuaj shëndetësore përpara kryerjes së operacionit;
  • Të paktën dy javë përpara operacionit duhet të ndërprisni marrjen e barnave me përmbajtje Acid Acetilsalicilik (si për shembull Aspirina, Vivin C, Kardiospirina etj.) si dhe  marrjen e antikoagulantëve oralë. Ndërprerja e ndonjë terapie për arsye të operacionit duhet konsultuar paraprakisht me mjekun tuaj që ju ka përshkruar terapinë;
  • Duhani duhet të ndërpritet të paktën dy javë përpara ndërhyrjes;
  • Pacienti duhet të ketë bërë dush, të heqë produktet xhel apo manikyr të thonjve ditën para operacionit si dhe të mos konsumojë ushqime apo lëngje të paktën tetë orë përpara ndërhyrjes;
  • Rekomandojmë që pacientët ditën e operacionit të paraqiten me veshje komode me kopsa ose me zinxhir.

Pas operacionit

Periudha e shërimit pas operacionit të zvogëlimit të gjoksit zgjat 5 – 7 ditë dhe shumica e pacientëve fillojnë të ndihen mirë që në ditën e katërt ose të pestë. Tre ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale pacienti duhet të paraqitet pranë Klinikës DaVINCI për heqjen e drenave si dhe ndjekjen e mjekimeve të tjera post-operatore. Gjatë periudhës së rekuperimit është e rëndësishme mbajtja e reçipetave të posaçme të cilat do ju ofrohen nga Klinika DaVINCI dhe shërbejnë për ta mbajtur gjoksin të palëvizshëm. Mjeku do ju ndjekë gjatë gjithë periudhës së rekuperimit dhe do t’ju rekomandojë kur të jeni gati për të rifilluar aktivitetin tuaj normal.

Pacientët tanë