skip to Main Content

Rimodelimi i barkut

Abdominoplastika apo miniabdominoplastika, e njohur gjithashtu si “rimodelim i barkut”, është një ndërhyrje kirurgjikale që ka për qëllim heqjen e lëkurës së tepërt të barkut dhe tendosjen e saj. Ky operacion konturon zonën e barkut dhe të belit.  Abdominoplastika mund të kryhet si një operacion i vetëm ose i kombinuar me ndërhyrje të tjera si: liposucioni, zmadhimi i gjoksit dhe ngritja e gjoksit. Qëllimi i abdominoplastikës është heqja e lëkurës së tepërt të barkut duke e tërhequr dhe e tendosur atë. Rezultati përfundimtar që arrihet nga abdominoplastika është një bark më i bukur estetikisht përsa i përket pamjes, tonit të muskujve dhe siluetës në tërësi.

Operacioni i rimodelimit të barkut lë një shenjë (cicatrice) në fundin e barkut e cila nuk përbën shqetësim pasi mbulohet lehtësisht me veshmbathje. Gjatë ndërhyrjes së abdominoplastikës tregohet kujdes që shenja të jetë e pozicionuar sa më poshtë që të mund të mbulohet lehtësisht nga veshjet intime (të brendshme) apo bikini. Ndërhyrja zgjat afërsisht 2 – 3 orë, ndryshon nga pacienti në pacient dhe kryhet në anestezi të përgjithshme me prezencën e anestezistit gjatë gjithë ndërhyrjes kirurgjikale. Në përfundim të operacionit të abdominoplastikës të gjitha prerjet mbyllen me shumë kujdes, për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm estetikisht.

Paraprakisht

  • Ditën që kryeni konsultën me kirurgun duhet të informoni atë nëse jeni alergjik ndaj ndonjë medikamenti si dhe ti referoni atij nëse jeni duke marrë ndonjë medikament për arsye shëndetësore të cilat mund të influencojnë kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale;
  • Disa ditë përpara operacionit do të kryeni një sërë ekzaminimesh pre-operatore të cilat informojnë stafin mjekësor mbi gjendjen tuaj shëndetësore përpara kryerjes së operacionit;
  • Të paktën dy javë përpara operacionit duhet të ndërprisni marrjen e barnave me përmbajtje Acid Acetilsalicilik (si për shembull Aspirina, Vivin C, Kardiospirina etj.) si dhe marrjen e antikoagulantëve oralë. Ndërprerja e ndonjë terapie për arsye të operacionit duhet konsultuar paraprakisht me mjekun tuaj që ju ka përshkruar terapinë;
  • Duhani duhet të ndërpritet të paktën dy javë përpara ndërhyrjes;
  • Pacienti duhet të ketë bërë dush, të heqë produktet xhel apo manikyr të thonjve ditën para operacionit si dhe të mos konsumojë ushqime apo lëngje të paktën tetë orë përpara ndërhyrjes;
  • Rekomandojmë që pacientët ditën e operacionit të paraqiten me veshje komode me kopsa ose me zinxhir.

Pas operacionit

Pacientët inkurajohen të ecin që ditën e nesërme pas ndërhyrjes së rimodelimit të barkut, kjo bëhet për të parandaluar mpiksjen e gjakut. Personat që kryejnë këtë ndërhyrje qëndrojnë në spital dy netë me qëllim që të jenë në monitorim të vazhdueshëm nga mjekët. Pas daljes nga spitali parashikohen kontrolle periodike pranë klinikës për mjekimin e plagëve post-operatore deri në rekuperimin e plotë të pacientit. Sugjerojmë që pacientët të rifillojnë aktivitetin normal ditor dy javë pas operacionit.

Aktiviteti i tepruar fizik ose mbajtja e peshave të rënda duhet shmangur për 3 – 4 javët e para pas ndërhyrjes, por që mund të shtohet gradualisht më vonë nëse është bërë riforcim i muskujve të barkut. Rezultatet e abdominoplastikës dhe mini-abdominoplastikës janë të qëndrueshme në kohë nëse kombinohen me një dietë të balancuar dhe aktivitet të rregullt fizik. Për mbajtjen e rezultateve afatgjata, stafi mjekësor i Klinikës DaVINCI do ju sugjerojë kryerjen e testit të Nutrigjenetikës si dhe dietën e personalizuar të cilat do përmirësojnë mënyrën tuaj të ushqyerjes përgjithmonë.

Pacientët tanë